+355692149111 / +355696163232

Për një projektligj që e kthen në viktimë, viktimën e siguruar – Nga Romina ZANO

Nëse deri më sot e kemi parë ligjin si mjet për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, sot nëpërmjet ligjit synohet kryerja e abuzimit në raport me konsumatorin. Lobet e fuqishme të biznesit sot kanë ndryshuar strategji. Nuk kanë nevojë të blejnë gjyqtarët apo punonjësit e administratës, por blejnë vetë ligjin. Kështu po synohet haptazi në mënyrë abuzive që nëpërmjet AMF të hartohet një legjislacion në dëm të viktimave të aksidenteve e në favor të shoqërive të sigurimit. Me projektligjin e ri Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit, AMF (pra autoriteti shtetëror që do të duhej të mbronte viktimat e të mbikëqyrë shoqëritë e sigurimit) shkon në pikën ku harton projektligje në kundërshtim me të drejtën BE dhe çdo normë tjetër ndërkombëtare në sektor, me synimin e vetëm që të mbrojë të fortët dhe jo viktimat! Jo vetëm kaq, po ky projektligj, në  vend të përmirësonte situatën jo aq pozitive aktuale, vepron duke përkeqësuar edhe më keq atë çfarë ekzistonte deri më tani.

 

Koncepti se çfarë është ligji në një vend të ashtuquajtur lirie, cila është mënyra që duhet zbatuar, caqet e tij apo deri ku zbatohet, teoricienët e së drejtës e kanë shtruar si problem jo vetëm në emër të kërkesës së madhe globale për gjetjen e sistemit më të mirë ligjor, por edhe të kërkesave specifike që shtrohen në përditshmërinë e njeriut në ngjarje të paparashikueshme të jetës. I tillë është instituti i dëmshpërblimit për dëmet e shkaktuara nga ngjarjet e aksidenteve për shkak të përdorimit të mjeteve motorrike.

 

Regjimi i trajtimit të dëmit pasuror dhe jopasuror në fushën e transportit në rastet e ngjarjeve të aksidentit, normohet nga parashikimet e ligjit të posaçëm nr.10076/2011 Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit. Ky ligj buroi si detyrim jo vetëm i përshtatjes së standardeve që imponojnë Direktivat Europiane, por edhe i qëndrimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara në vitin 2007. Kjo e fundit, nisur nga praktikat e ndryshme të gjykatave që lidhen me zbatimin e ligjit të kaluar përsa i përket përfitimeve të dëmshpërblimit në rastet e dëmeve jashtëkontraktore (duke përfshirë këtu dhe mënyrën e llogaritjes  veçanërisht të dëmeve jopasurore), vendosi të unifikojë praktikën duke i dhënë një koncept dëmeve jopasurore (biologjik, moral dhe ekzistencial) si dëme të pësuara nga cënimi i të drejtave dhe interesave jopasurore që bëjnë pjesë në vlerat e brendshme të njeriut dhe që nuk janë subjekte të drejtpërdrejta ekonomike në treg.

 

Megjithatë, ligji ka parashikuar kufizime jo vetëm në metodën e llogaritjes së dëmeve jopasurore, por edhe përsa i përket kufirit minimal të mbulimit të shumës nga Shoqëritë e Sigurimit (Në Shqipëri mbulimi shkon deri në 20 milion lekë, në një kohë kur Direktiva Europiane dhe gjithë vendet Perëndimore e të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, e kanë mbulimin e dëmit  të paktën 1 milion Euro në maksimum).

 

Kufizimet, ngushtohen edhe më tepër me projektligjin e ri të draftuar nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, i cili ka propozuar ndryshme të reja në nenin 26 të Ligjit 10 076/2011, në metodën e llogaritjes së dëmit jopasuror, dhe njëkohësisht integroi në ligj një dispozitë kalimtare ku parashikonte shtyrjen e afateve për shlyerjen nga ana e Shoqërive të Sigurimit, të pagesave të prapambetura për dëmet e shkaktuara përpara datës 31.12.2013.

 

Nga momenti fillestar i paraqitjes së propozimit për ndryshim nga ana e këtij institucioni, e deri më tani, në një interval kohor ( mbi ) dyvjeçar, projektligji ka ndryshuar mbi tre herë, duke reflektuar në këtë mënyrë paqartësi, pasiguri dhe ambiguitet nga ana e Autoritetit, për të kërkuar rishikimin e këtij ligji i cili duhet domosdoshmërisht të vijë në interes të qytetarit për qëllime të trajtimit të dëmit sipas parimit të shpërblimit të drejtë, njëkohësisht i ndjekur nga parimi i restaurimit dhe të eficencës, si objektiva kryesor të sistemit konkret rregullator.

 

Fillimisht, në propozimet e vitit 2015, siç ka rezultuar nga publikimet zyrtare të AMF-së, forma, procedura dhe vlerat e trajtimit të dëmit jopasuror, paraqisnin një regres e mungesë të përmirësimit të dispozitave në krahasim me Ligjin aktual në fuqi. Më pas ndryshimet erdhën duke u theksuar, duke i dhënë qartazi një mbështetje shoqërive të sigurimit për të minimizuar detyrimet e tyre financiare kundrejt qytetarit.

 

Gjendja përvijohet edhe më rëndë për arsye se ky institucion rregullator nuk i ka dhënë ende një zgjidhje imediate ngërçit të Fondit të Kompensimit pranë Byrosë, ku rezulton se qindra qytetarë kanë vite që nuk dëmshpërblehen  për shumat e fituara nga vendimet gjyqësore  brenda afateve ligjore.

 

Nga ana jonë në cilësinë e “Rrjetit Të Avokatëve” pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, janë paraqitur dy oponenca në formën e reflektimit ligjor drejtuar institucioneve kryesore që prekin këtë ligj deri në momentin e miratimit të tij në parlament. Beteja jonë për të kundërshtuar këtë projektligj do vijojë deri në komisionin parlamentar por edhe në Gjykatë Kushtetuese nëse do lind e nevojshme.

 

Kjo për arsyen e vetme se kemi refuzuar dhe kundërshtuar në mënyrë kategorike miratimin e ndryshimeve që kërkojnë të realizojnë në Ligjin aktual, pasi  propozimet nuk përputhen aspak me qëllimin primar të çdo norme e parimi të përgjithshëm juridik, të cilin siç e kemi të qartë të gjithë, është rregullimi i raporteve pro futuro në interesin sa më të lartë të çdo individi në Republikën e Shqipërisë.

 

Për të qartësuar diferencën  midis kufijve aktualë të ligjit dhe atij që kërkojnë të miratojnë në parlament (duke u fokusuar sidomos tek dëmi jopasuror)  mjafton të ilustrojmë rastin e një ngjarje aksidenti ku i dëmtuari rezulton me pasojë paaftësi totale të përhershme, mosha 29 vjeç, kryefamiljar i martuar dhe me dy fëmijë.

 

Sipas përllogaritjeve, dëmi biologjik, moral dhe ekzistencial në ligjin aktual varion në shumat 2,100,000 lekë minimumi dhe 4,400,000 maksimumi. Ndërsa me ndryshimet e reja dëmet e mësipërme do të jenë një shumë fikse 1,440,000 lekë.

 

Diferenca rezulton të jetë nga 660,000 lekësh deri në 2,960,000 lekë humbje financiare të qytetarit në rastet e përfitimit të dëmshpërblimit.

 

As qëndrimi se etapat e qasjes legjislative me kuadrin europian vijojnë në mënyrë graduale, deri në përfundim të zbatimit të plotë të acquis, nuk justifikon aspak papërshtatshminë dhe mungesën e theksuar të vizionit që pasqyron ulja dhe kufizimi financiar që kërkon të ligjërohet në propozimet e  Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.

 

Ndryshime të tilla bien në kundërshtim flagrant me interesat e të dëmtuarve nga ngjarjet e aksidentit, në një kohë që rregullimet ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e shtetasve, duhet të kenë një qëndrueshmëri të mjaftueshme që siguron vijimësinë e tyre. Siç u theksua më sipër, projektligji jo vetëm që nuk rrit shumën e mbulimit të dëmit nga shoqëritë e sigurimit, por ka ndryshuar metodën e përllogaritjes së saj dhe nuk i jep asnjë zgjidhje problematikës së Byrosë Shqiptare të Sigurimit, në një mënyrë të tillë që viktima, trashëgimtarët apo i dëmtuari të dëmshpërblehen në shuma krejt qesharake, vlera përcakton etalonin matës financiar të jetës dhe shëndetit të individit në një shtet të presupozuar ligjor si ky i yni.

 

Propozimi kërkon të mbështesë haptazi vetëm shoqëritë e sigurimit, duke përkeqësuar pozitën e viktimës dhe të dëmtuarve që ky ligj ka për qëllim të mbrojë. Konkludimi i tij me miratimin në Parlament hap dyert e cënimit të së drejtës kushtetuese për shpërblim të drejtë çdo qytetari potencialisht të ekspozuar nga një ngjarje e mundshme aksidenti në një vend ku pasiguria është emëruesi i përbashkët e hapësirës ku jetojmë.

https://www.osfa.al/publikime/per-nje-projektligj-qe-e-kthen-ne-viktime-viktimen-e-siguruar-reporteral

Shpërndaje

Share on facebook
Facebook
Share on linkedin
LinkedIn
Share on whatsapp
WhatsApp

Facebook