Kalo te përmbajtja
Rakipi & Partners Zyrë ligjore
AL EN
Kontakt
AL EN
Kontakt
← Publikime
Analiza 3 min lexim

Pronari përfitues: kur banka dhe regjistri nuk përputhen

Çdo shoqëri tregtare deklaron në QKB pronarët e saj përfitues. Kur banka gjen një mospërputhje me regjistrin, njofton QKB-në dhe shoqëria duhet të reagojë. Ku lindin mospërputhjet dhe si shmangen.

Pronari përfitues (beneficial owner) është personi fizik që, në fund të zinxhirit, zotëron ose kontrollon një shoqëri, edhe kur emri i tij nuk del në ekstraktin tregtar. Ligji nr. 112/2020 "Për regjistrin e pronarëve përfitues" i detyron shoqëritë tregtare, degët e shoqërive të huaja, organizatat jofitimprëurse dhe subjekte të tjera t'i deklarojnë këta persona në regjistrin që mban Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB). Si rregull, pronar përfitues është kush zotëron 25% ose më shumë të shoqërisë, drejtpërdrejt ose përmes shoqërive të tjera, si dhe kush e kontrollon shoqërinë në fund të fundit.

Regjistri nuk është formalitet

Bankat dhe subjektet e tjera që zbatojnë ligjin për parandalimin e pastrimit të parave (anti-money laundering, AML) e krahasojnë atë me të dhënat që mbledhin vetë kur njohin klientin (know your customer, KYC). Kur gjejnë një mospërputhje, duhet ta njoftojnë shoqërinë dhe QKB-në. Njoftimi shënohet në regjistër dhe shoqëria duhet ose t'i përditësojë të dhënat, ose të konfirmojë se janë të sakta; nëse nuk vepron, QKB-ja i pezullon shërbimet derisa çështja të zgjidhet. Edhe ndryshimet që nuk regjistrohen në kohë dënohen me gjobë.

Ku lindin mospërputhjet

Mospërputhjet lindin zakonisht në katër raste:

  • zinxhiri ndalet te shoqëria mëmë: deklarohet holdingu i huaj, jo personi fizik që qëndron pas tij;
  • pronësia ndryshon jashtë vendit: kur shitet shoqëria mëmë, ndryshon pronari përfitues i shoqërisë shqiptare, edhe pse ekstrakti i QKB-së mbetet i njëjtë, dhe edhe ky ndryshim duhet regjistruar;
  • kontrolli vjen jo nga aksionet, por nga një marrëveshje mes ortakëve, një e drejtë vetoje ose një aksionar që mban kuotat në emër të dikujt tjetër (nominee shareholder);
  • mungojnë dokumentet mbështetëse, megjithëse ligji kërkon që shoqëria të ruajë edhe dokumentet me të cilat e identifikoi pronarin përfitues, jo vetëm të dhënat në regjistër.

Pse ka rëndësi edhe jashtë Shqipërisë

Bankat në BE i zbatojnë rregullat e BE-së kundër pastrimit të parave edhe për klientët shqiptarë, dhe këto rregulla po bëhen më të rrepta, edhe për pronarin përfitues. Gjatë përafrimit me BE-në, ligji shqiptar ndjek të njëjtin drejtim.

Çfarë të bëni tani

Një skemë e qartë pronësie i shërben shoqërisë si te QKB-ja, ashtu edhe te çdo bankë, brenda dhe jashtë vendit. Për ta pasur:

1. hartoni skemën e pronësisë, shtresë pas shtrese, deri te personat fizikë;

2. krahasoni të dhënat në QKB me ato që u keni dhënë bankës dhe partnerëve;

3. ruani dokumentet: regjistrat e aksionarëve të shoqërive mëmë, marrëveshjet mes ortakëve, prokurat dhe çdo marrëveshje për mbajtjen e kuotave në emër të të tjerëve;

4. caktoni një person që ndjek ndryshimet e pronësisë, edhe ato jashtë vendit, dhe i regjistron në kohë.

Avokatët e kësaj fushe