Kalo te përmbajtja
Rakipi & Partners Zyrë ligjore
AL EN
Kontakt
AL EN
Kontakt
← Publikime
Përditësime ligjore 3 min lexim

Ligji i ri për disenjot: çfarë ndryshon për prodhuesit dhe krijuesit

Kuvendi miratoi një ligj të veçantë për disenjot, të përafruar me rregullat e reja të BE-së. Ligji mbron edhe disenjot dixhitale, përfshin printimin 3D dhe sjell një rregull të ri për pjesët e këmbimit.

Disenjoja është pamja e jashtme e një produkti: forma, linjat, ngjyrat, tekstura ose materiali i tij. Disenjot industriale janë rregulluar nga Ligji nr. 9947/2008 "Për pronësinë industriale", bashkë me markat dhe patentat. Pas ligjeve të veçanta për markat tregtare dhe për patentat, në shtator 2026 Kuvendi miratoi Ligjin nr. 96/2026 "Për disenjot". Ligji përafron plotësisht direktivën e re të Bashkimit Evropian (BE) për mbrojtjen ligjore të disenjove (Direktiva (BE) 2024/2823) dhe direktivën për zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale (Direktiva 2004/48/KE), si dhe pjesërisht rregulloren e BE-së për disenjot e Bashkimit Evropian.

Çfarë ndryshon

  • Mbrohen edhe disenjot dixhitale. "Produkt" është edhe ai që nuk ka trup fizik: ndërfaqet grafike të përdoruesit (graphical user interface, GUI), simbolet grafike, logot, motivet sipërfaqësore, stilet tipografike, si dhe mjediset e brendshme dhe të jashtme. Disenjoja mund të përfshijë edhe lëvizjen ose animacionin, ndërsa programet kompjuterike mbeten jashtë.
  • Mbajtësi i disenjos mund të ndalojë krijimin, shkarkimin, kopjimin dhe shpërndarjen e skedarëve ose të software-it që riprodhojnë disenjon për ta prodhuar produktin me printim 3D.
  • Mbajtësi mund të ndalojë që mallra falso nga vende të treta të sillen në Shqipëri, edhe kur nuk lëshohen për qarkullim të lirë, përveç kur deklaruesi provon se në vendin e destinacionit nuk ka shkelje.
  • Disenjoja e një pjese të dukshme të një produkti kompleks, për shembull e një pjese karrocerie, nuk mbrohet kur pjesa përdoret vetëm për ta riparuar produktin dhe për t'i rikthyer pamjen fillestare. Prodhuesi ose shitësi i pjesës së këmbimit duhet t'u tregojë qartë konsumatorëve origjinën dhe prodhuesin.
  • Lejohet përdorimi i një disenjoje për ta identifikuar ose për t'iu referuar produktit, si dhe për koment, kritikë ose parodi, kur është në përputhje me praktikat e ndershme tregtare.
  • Ligji përcakton kujt i përket disenjoja e krijuar nga një punonjës ose me kontratë porosie, dhe kur punonjësi ka të drejtë për kompensim të veçantë.
  • Mbajtësi mund ta shënojë produktin me shkronjën D brenda një rrethi (Ⓓ), për të treguar se disenjoja është e regjistruar.

Regjistrimi nuk e provon risinë

Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) nuk shqyrton nëse disenjoja është e re dhe ka karakter individual; këto i vlerëson gjykata, kur kërkohet pavlefshmëria e disenjos.

Kur zbatohet

Ligji hyn në fuqi pas një periudhe kalimtare nga botimi në Fletoren Zyrtare, dhe deri atëherë për disenjot zbatohet Ligji nr. 9947/2008. Kërkesat dhe proceset që nisin para hyrjes në fuqi të ligjit të ri vazhdojnë sipas ligjit të vjetër, ndërsa disa dispozita zbatohen vetëm pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Çfarë të bëni tani

Për prodhuesit dhe krijuesit, kjo do të thotë:

  • të shqyrtojnë produktet dixhitale, si aplikacionet, ndërfaqet, ikonat dhe animacionet, dhe të vlerësojnë nëse ia vlen t'i regjistrojnë si disenjo;
  • të rishikojnë kontratat e punës dhe të porosisë me dizajnerët, që të jetë e qartë kujt i përkasin të drejtat;
  • të përgatitin informacionin për origjinën dhe prodhuesin, nëse prodhojnë ose shesin pjesë këmbimi;
  • të ruajnë provat për datën kur e bënë publike një disenjo, sepse ligji e mbron krijuesin që e publikon disenjon para se të aplikojë, por vetëm për një periudhë të kufizuar.
Avokatët e kësaj fushe