Kalo te përmbajtja
Rakipi & Partners Zyrë ligjore
AL EN
Kontakt
AL EN
Kontakt
← Publikime
Përditësime ligjore 3 min lexim

Shërbimet e pagesave: çfarë ndryshon për klientët dhe për ofruesit

Ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave, që zbatohen nga 1 janari 2027, i afrojnë rregullat shqiptare me ato të BE-së: më shumë kohë për ankesat, pa tarifa shtesë për disa pagesa me kartë, rregulla për paranë elektronike dhe për sigurinë digjitale.

Në tetor 2026 Kuvendi miratoi Ligjin nr. 108/2026, që ndryshon Ligjin nr. 55/2020 "Për shërbimet e pagesave". Ndryshimet zbatohen nga 1 janari 2027 dhe i afrojnë më shumë rregullat shqiptare me direktivën e Bashkimit Evropian (BE) për shërbimet e pagesave. Disa prej tyre, si ato për veprimtarinë në shtetet e tjera të BE-së, zbatohen vetëm pas anëtarësimit.

Për klientët

  • Afati i jashtëm për ta njoftuar ofruesin për një pagesë të paautorizuar ose të ekzekutuar gabimisht nuk lidhet më me Kodin Civil: llogaritet nga data e debitimit dhe është i njëjtë me atë të BE-së. Njoftimi bëhet gjithsesi pa vonesë, sapo klienti e merr vesh.
  • Kufiri i humbjes për kartat e humbura ose të vjedhura lidhet me euron, si në BE. Kur dhe sa e mban humbjen klienti e shpjegojmë te Pagesa që nuk e keni autorizuar: kur duhet t'jua kthejë banka paratë.
  • Tregtari nuk mund t'i kërkojë klientit tarifë shtesë për pagesat me kartat për të cilat Banka e Shqipërisë rregullon tarifat e shkëmbimit mes bankave, as për transfertat dhe debitimet direkte që ajo rregullon.
  • Banka e Shqipërisë publikon një fletë informuese për të drejtat e konsumatorëve, mbi bazën e asaj të Komisionit Evropian, dhe ofruesit duhet ta vënë në dispozicion falas, në faqen e tyre të internetit dhe në degë.

Për ofruesit

  • Ligji i ndryshuar rregullon edhe institucionet e parasë elektronike: licencimin, kapitalin, mbrojtjen e fondeve dhe veprimtarinë e tyre. Paraja elektronike emetohet dhe ripaguhet në vlerën nominale, në çdo kohë, dhe mbajtësit nuk mund t'i paguhet interes.
  • Menaxhimi i rrezikut të teknologjisë dhe raportimi i incidenteve lidhen me kuadrin për qëndrueshmërinë operacionale digjitale dhe, pas anëtarësimit, me aktin e BE-së për këtë fushë (DORA).
  • Banka e Shqipërisë i përcakton kërkesat për tarifat e shkëmbimit me akt nënligjor.
  • Institucionet e pagesave dhe të parasë elektronike që marrin pjesë në sistemet e pagesave duhet të tregojnë si i mbrojnë fondet e klientëve dhe si e menaxhojnë rrezikun, dhe bashkimi i tyre kërkon miratimin e Bankës së Shqipërisë.
  • Pas anëtarësimit, institucionet e licencuara në Shqipëri do të mund të ofrojnë shërbime në shtetet e tjera të BE-së, drejtpërdrejt ose përmes degëve dhe agjentëve, pasi njoftojnë Bankën e Shqipërisë, dhe institucionet e BE-së do të mund të veprojnë në Shqipëri.

Çfarë të bëni

Ofruesit e pagesave dhe të parasë elektronike duhet të rishikojnë kontratat kuadër, tabelat e tarifave, procedurën e ankesave dhe procedurën për incidentet, dhe të ndjekin aktet nënligjore të Bankës së Shqipërisë. Tregtarët që pranojnë karta duhet të kontrollojnë nëse u kërkojnë klientëve tarifë shtesë, sepse për kartat me tarifa shkëmbimi të rregulluara ajo nuk lejohet. Klientët, nga ana e tyre, duhet ta njoftojnë ofruesin sapo vënë re një pagesë të dyshimtë dhe të ruajnë provën e njoftimit.