Kalo te përmbajtja
Rakipi & Partners Zyrë ligjore
AL EN
Kontakt
AL EN
Kontakt
← Publikime
Përditësime ligjore 3 min lexim

Ligji i ri për sinjalizuesit: çfarë duhet të bëjnë punëdhënësit

Ligji i ri për sinjalizimin, i përafruar plotësisht me direktivën e BE-së, i detyron kompanitë me mbi 50 punonjës të kenë një kanal të brendshëm sinjalizimi dhe i mbron sinjalizuesit nga hakmarrja. Çfarë duhet të bëjnë punëdhënësit.

Në dhjetor 2025 Kuvendi miratoi Ligjin nr. 96/2025 "Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve". Ligji shfuqizon Ligjin nr. 60/2016 dhe përafron plotësisht direktivën e Bashkimit Evropian (BE) për mbrojtjen e personave që raportojnë shkelje (Direktiva (BE) 2019/1937). Sinjalizues është personi që, në kontekstin e punës, raporton një shkelje të mundshme të ligjit.

Kush duhet të ketë kanal të brendshëm

Autoritetet publike dhe subjektet private me mbi 50 punonjës, si dhe çdo ent me kapital shtetëror ose nën kontroll shtetëror, duhet të krijojnë një njësi përgjegjëse për sinjalizimin dhe të miratojnë një rregullore të brendshme. Kompanitë private mund t'ia besojnë kanalin një pale të tretë, dhe ato të së njëjtës fushë me 50 deri në 249 punonjës mund të krijojnë një njësi të përbashkët.

Çfarë parashikon ligji

  • Mbrohen jo vetëm punonjësit, por edhe të vetëpunësuarit, anëtarët e bordeve, praktikantët, punonjësit e kontraktorëve dhe të furnitorëve, kandidatët për punë dhe ish-punonjësit, si dhe ata që i ndihmojnë dhe të afërmit e tyre.
  • Sinjalizimet anonime trajtohen njësoj si sinjalizimet e tjera.
  • Sinjalizuesi mund t'i drejtohet drejtpërdrejt Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), pa kaluar më parë te kanali i brendshëm, dhe në disa raste mbrohet edhe kur e bën publike shkeljen.
  • Njësia duhet ta konfirmojë marrjen e sinjalizimit dhe ta informojë sinjalizuesin për ecurinë dhe për rezultatin brenda afateve të ligjit, me arsyetim.
  • Kur sinjalizuesi provon se ka sinjalizuar dhe se ka pësuar dëm, prezumohet se dëmi vjen nga hakmarrja, dhe punëdhënësi duhet të provojë se masa kishte arsye të ligjshme dhe të pavarura nga sinjalizimi.
  • Çdo marrëveshje që përjashton ose kufizon të drejtën për të sinjalizuar, përfshirë marrëveshjet e konfidencialitetit, është e pavlefshme.
  • ILDKPKI-ja gjobit mungesën e njësisë përgjegjëse, pengimin e sinjalizimit, hakmarrjen dhe shkeljen e konfidencialitetit.

Disa dispozita zbatohen vetëm pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si detyrimi për kanal të brendshëm pavarësisht nga numri i punonjësve në shërbimet financiare dhe në parandalimin e pastrimit të parave.

Çfarë të bëni tani

Për t'u përgatitur, punëdhënësi:

1. kontrollon nëse është i detyruar, sipas numrit të punonjësve, kapitalit ose kontrollit shtetëror;

2. cakton njësinë përgjegjëse ose një palë të tretë, me pëlqimin me shkrim të personit të caktuar dhe me trajnim;

3. miraton rregulloren e brendshme për sinjalizimin dhe për hetimin administrativ, sipas udhëzimeve të ILDKPKI-së;

4. krijon kanale të sigurta, me shkrim dhe me gojë, që ruajnë konfidencialitetin, dhe i lidh me rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale (Ligji nr. 124/2024);

5. rishikon kontratat e punës dhe marrëveshjet e konfidencialitetit, që të mos kufizojnë sinjalizimin;

6. përgatit raportin vjetor që njësia i dërgon ILDKPKI-së.

Avokatët e kësaj fushe